Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur sot (8 shtator) në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Ragip Gila, 30 vjeç, i arrestuar si autori i dyshuar i ngjarjes, ka dhënë deklaratën e tij të parë para hetuesve, duke pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të,” ka deklaruar Gila në polici, duke sqaruar se nuk kishte synuar të qëllonte të tjerë persona në vendngjarje.
Sipas dëshmisë së tij, Gila pretendon se kishte një konflikt të vazhdueshëm me Vason:
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë,” mësohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Ngjarja e rëndë çoi në vdekjen e Armando Palit dhe Liridon Krajës, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Vaso, që dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit, dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.
Gila u arrestua pas një ndjekjeje nga policia, gjatë së cilës u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke pësuar një dëmtim në këmbë. Në ato momente, ai është detyruar të dorëzohet, duke thënë:
“E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.”
Menjëherë pas arrestimit, ai u dërgua për trajtim mjekësor dhe më pas dha deklaratën e parë.
Policia dyshon për porositës të mundshëm
Megjithatë, policia nuk e ka marrë të mirëqenë versionin e dhënë nga Gila. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohet nëse 30-vjeçari ka vepruar i vetëm apo ka qenë pjesë e një skenari të organizuar nga persona të tjerë që mund ta kenë porositur vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso, aktualisht i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.