Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ajo është marrë në hetim për dosjen e AKSHI-t, ku Karçanaj dhe persona të tjerë, mes tyre Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj tyre u ngritën akuzat për veprat penale: konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal, si edhe pastrim parash.
Kujtojmë se ajo ishte në arrest shtëpie, por Gjykata e Lartë i lehtësoi masën e sigurisë, duke e lënë në detyrim paraqitje.
DOSJA AKSHI
Sipas SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri konsiderohen si dy nga personat kryesorë të skemës kriminale. Ata akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar presion dhe intimidim ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera për t’i detyruar të hiqnin dorë nga ankimimet, me qëllim që kompanitë e favorizuara të shpalleshin fituese. Të dy mbeten ende në kërkim.
Ish drejtuesja e AKSH-t Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ato dyshohet se kanë pasur rol në procedurat e manipuluara të tenderimit dhe në favorizimin e kompanive të caktuara përmes kritereve të vendosura në mënyrë të paligjshme.


