Gjykata Penale e Tiranës ka dënuar me një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra aktoren Egla Ceno, e cila akuzohet për veprën penale të “shpifjes” ndaj moderatorit, Saimir Kodra.
Kjo çështje u hap pas deklaratave të Eglës gjatë periudhës ku ajo ishte banore e “Big Brother Vip”, ku ajo pretendoi se kishte pësuar ngacmime seksuale nga një moderator i emisioneve televizive. Pas këtyre deklaratave, Saimir Kodra depozitoi padi në gjykatë për mbrojtjen e reputacionit të tij.
Sipas mediave, gjatë procesit gjyqësor, Egla Ceno ndryshoi disa herë versionet e mbrojtjes, duke mohuar fillimisht që të kishte përmendur emrin e plotë të moderatorit dhe më pas duke thënë se qëndrimet e saj kishin karakter simbolik për gratë e abuzuara seksualisht.
Në përfundim të seancave, Gjykata e shpalli Eglën Ceno fajtore për shpifje dhe e dënoi me gjobën prej 1 milion lekësh.
Deklarata e Egla Cenos:
“Puna nuk mbaron, do të marrin në punë tjetër nuk do jesh ti e dëmtuara se nuk ke bërë asgjë të keqe. I the një derri mu hiq qafe, e the me vend dhe në vendin e duhur. Ishte një zotëri tjetër që kishte një radio s’po ja them emrin se nuk ekziston më. Unë hyra atje dhe punova, po në radio si zonjë. Më ka trajtuar me një rrogë fantastike në atë periudhë nuk e di si ta merrja. Isha “Happy”, paguaja qeranë, haja ndonjë darkë jashtë. Por duhet të them gjërat vijnë. Nuk duhet të dalin më me zë dhe figurë në ekran, ma kanë bërë mua, ja kanë bërë shumë të tjerave pas meje, ndoshta e bën akoma dhe ti del në ekran me emër. Po moj, Kodra ka qenë, ai që bën atë gjënë programin. Se nuk e kam fare problem, ai ka qenë. Zero, se kam fare problem ta them. Duhet me dalë me emra të përveçëm se ndryshe je duke bërë “ham, ham” kot,” tha Egla Ceno.
Kjo deklaratë e aktores bëri që moderatori Saimir Kodra të reagojë ashpër.
“Do të bëj një reagim të shkurtër, se zonja që ka bërë deklaratën ka kaluar kompetencat duke përmendur një person që nuk është aty. Aty zihen për flokësh, shahen pse më përmend babën që është jashtë. E vetmja përgjigje kësaj aktore të dobët, e këtij skenari po aq të dobët të ndërtuar do i përgjigjet ajo vetë në Gjykatë. Kjo deklaratë e saj është në Gjykatën Penale, ajo Ceno ka barrën e provës që të vërtetojë që këtu e 25 vite më parë i paskam kërkuar afera seksuale në këmbim të një vendi pune. Kësaj zonjës dhe aktores së dobët, pas 25 vitesh i del detyra që ta vërtetojë në Gjykatë. Kam qenë dhe do të jem krah femrave që dhunohen, molestohen, me fakte dhe me prova si gjithmonë. Unë s’di të kem punuar ndonjëherë as shefi i burimeve njerëzore që të punësoja njerëz, as recepsionist. Kam qenë moderator i thjeshtë i një emisioni që quhej “Radio Mania”. Është vënë në mes dinjiteti njerëzor. Kjo është një çështje penale për zonjën, por edhe për televizionin ku ajo e ka thënë atë deklaratë,” tha Kodra asajkohe.