Një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në derën e një lokali në lagjen “Çlirim” në Berat, në pronësi të shtetasit Sali Fetiu.
Sipas Policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:00 dhe ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale në derën hyrëse të lokalit, i cili rezulton i mbyllur prej më shumë se dy vitesh dhe mban ende në xhama tabelën “Jepet me qira”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth me qëllim identifikimin e autorëve.
Burime policore bëjnë me dije se një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një paralajmërimi ndaj djalit të pronarit të lokalit, 37-vjeçarit Asllan Fetiu. Ky i fundit është autor i një ngjarjeje të ndodhur më 24 mars 2024, kur plagosi me thikë një klient 85-vjeçar në një lokal përballë, pasi në gjendje të dehur kishte hyrë në ambient për të kërkuar dikë dhe kishte qëlluar një të moshuar të pranishëm.
Hetimet janë gjithashtu të fokusuara edhe në një tjetër pistë, atë të larjes së hesapeve për shkak të pazareve të prishura të dyshuara jashtë vendit, që mund të lidhen me aktivitete të paligjshme.