Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Mat, ku një 23-vjeçar u gjet i pajetë pranë Liqenit të Shkopetit.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se i riu, me iniciale R. D., është rrëmbyer të martën dhe më pas është vrarë. Denoncimi për zhdukjen e tij u bë nga babai, i cili ka njoftuar policinë se i biri nuk ishte kthyer më në shtëpi.
Pas disa orësh kërkime intensive, shërbimet e Policisë gjetën trupin e pajetë të të riut pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa dyshohet se automjeti me të cilin ai po lëvizte ka përfunduar në ujë.
Njoftimi i policisë:
Mat/Informacion paraprak
Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë.
Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen.
Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.