Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 500 mijë euro, të lidhura me Bujar Lleshin, i dënuar në Britani për kultivim të bimëve narkotike në ambient të mbyllur.
Operacioni për sekuestrimin u bazua në një procedim penal për veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Në pronësi të Lleshit dhe familjarëve të tij, pasuritë e sekuestruara në zonën e Kamzës përfshijnë:
- Një objekt banimi;
- Dy automjete, tip “Jeep” dhe “Opel Corsa”;
- Një aktivitet tregtar për blerjen, shitjen dhe riparimin e automjeteve.
Prokuroria vijon punën për sekuestrimin e pasurive të tjera me origjinë nga veprimtaria kriminale e Bujar Lleshit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Source”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, në pronësi të një shtetasi të dënuar në Mbretëri të Bashkuar, për kultivim të bimëve narkotike, me llamba.
Si rezultat i hetimeve të ndjekura nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Prokuroria e Tiranës, në bazë të një procedimi të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, u finalizua operacioni “Source”.
Në kuadër të operacionit, u ekzekutua vendimi për sekuestrimin e pasurive të shtetasit B. Ll. (të dënuar në Mbretëri të Bashkuar, për kultivim të bimëve narkotike, në ambient të mbyllur) dhe të familjarëve të tij. Pasuritë e sekuestruara, me vlerë rreth 500 000 euro, që ndodhen në Kamzë, janë:
-1 objekt banimi;
-2 automjete të tipeve “Jeep” dhe “Opel Corsa”;
-1 aktivitet tregtar me objekt blerjen, shitjen dhe riparimin e automjeteve.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.