Marselo Arani (në foto) është një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit, Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), ngjarje e ndodhur më 30 nëntor në Elbasan.
32-vjeçari nga Elbasani, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër vepër penale, akuzohet së bashku me 35-vjeçarin Armando Kola, banues në Laç, për ekzekutimin e 43-vjeçarit.
Ndaj tyre është ngritur akuza për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Si bashkëpunëtor në vrasje është arrestuar ortaku i viktimës, Xhino Ago edhe ky 32 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu u arrestua edhe roja i karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.
Ne foto, Marselo Arani, Xhino Ago dhe viktima, Mondi Mëhalla
Kush është Marselo Arani
Më 4 Dhjetor 2024, ai u arrestua nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.
Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit kishte caktuar më 1 dhjetor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, u bë sekuestrimi i 1 apartamenti në Durrës dhe 3 automjeteve, me vlerë rreth 136 000 euro, të cilat dyshohej se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 32-vjeçarit.
I riu ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.
“Si rezultat i operacionit “Resource”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, informoi policia në atë kohë.
Duke shtuar se: “Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. 31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.”


