Policia e Shkodrës ka ndaluar dy persona të dyshuar se do t’i bënin një atentat Preng Gjinit. Sipas burimeve ata janë ndaluar para disa ditësh. Gjatë kontrolleve të kryera në telefonin e njërit prej tyre u gjet fotoja e 56-vjeçarit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Preng Gjini jeton jashte vendit, por ditët e fundit kishte hyrë në Shqipëri dhe dyshohet se po mbahej në vëzhgim. Policia e Shkodrës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në 2020-ën 56-vjeçari i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar mbi urën e Selitës. Në atë kohë makinës së tij i vendosën tritol të një sasie 400 gram C4 në pjesën e përparme të makinës. Shpërthimi ndodhi ndërsa ai ishte duke udhëtuar.
Atentati para 6 vitesh mendohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, por Gjini e ka mohuar këtë fakt. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në 12 gusht 2019. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht arriti ta pikasë në kohë lëndën eksplozive.



