Pas vrasjes së 23-vjeçarit, Renis Dobra në fshatin Madhesh të Ulzës, News24 ka mësuar detaje të reja rreth pistave të hetimit. Prokuroria e Dibrës po heton në dy pista që lidhen me aktivitetin e të riut në Gjermani dhe në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije së 23-vjeçari, Renis Dobra ka qenë i dënuar me burgim për disa muaj nga autoritetet gjermane, ndërsa dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Pista e parë e hetimit ka të bëjë pikërisht me dënimin e të riut në Gjermani dhe lidhjet që ka pasur me persona të tjerë gjatë qëndrimit në këtë shtet.
Rreth 6 muaj më parë, Renis Dobra është rikthyer në Shqipëri, ndërsa nga hetimet e prokurorisë rezulton se 23-vjeçari, 1 muaj më parë ka qenë në Tiranë dhe është përfshirë në një sherr me disa të rinj. Konflikti që ka pasur në Tiranë me të rinjtë e tjerë përbën pistën e dytë të hetimeve.
Dyshimet për përfshirjen e 23-vjeçarit, Renis Dobra në trafikimin e lëndëve narkotike në Gjermani, mbetet pista kryesore e hetimit.
Një dëshmi që mund të hedhë dritë mbi të vërtetën është edhe ajo e babait të Renis Dobrës, i cili ka qenë personi i fundit që ka komunikuar me 23-vjeçarin. Më 8 korrik rreth orës 21:36 Renis Dobra i ka dërguar një mesazh babait të tij, ku e ka pyetur për një darke familjare.
Rreth 300 metra larg banesës së familjes Dobra, te afërm te tyre qe kanë qenë me makinë pas 23-vjeçarit kanë parë që disa persona që dyshohet se janë prezantuar si policë kanë marrë me vete te riun.
Aty menjëherë kanë njoftuar babain e djalit i cili është nisur për në Policinë e Matit, për të pyetur nëse djali i tij ishte shoqëruar nga policia. Pasi policia mohoi të ketë shoqëruar të riun, babai i djalit ka kryer një kallëzim për zhdukjen e tij dhe më pas është kthyer sërish në fshatin Zenisht.
Mëngjesin e 9 korrikut babai i 23-vjeçarit është nisur drejt rrugës Burrel-Milot, ku tek Ura e Ulzës ka gjetur një prej shapkave të djalit. Rreth 2 km nga Ura e Ulzës, në rrugën që të çon drejt Milotit ka vërejtur që një makinë ka dalë nga rruga. Babai ka dyshuar se ka qenë makina e tij, ndërsa një banor i zonës i ka pohuar se ka dëgjuar zhurmën e rrëshqitjes se mjetit ne zone.
Më pas kanë njoftuar policinë, e cila gjeti buzë Liqenit të Shkopetit trupin e pajetë të 23-vjeçarit Renis Dobra.