Dy shqiptarët, Jenis Tulja 44 vjeç dhe Mirjan Guveli 45 vjeç, të cilët u arrestuan tre ditë më parë nga policia e Greqisë, dolën sot para Gjykatës në shtetin fqinj.
Ata u arrestuan më 27 janar, pasi akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e bashkatdhetarit të tyre, Irakli Davella, ngjarje e ndodhur më 15 dhjetor 2024, ku mbeti i plagosur miku i viktimës, Edi Lolo.
Burime bëjnë me dije se sot gjatë gjyqit dy të akuzuarit për atentatin ndaj shqiptarit mohuan përfshirjen e tyre në ngjarjen e rëndë.
Ata nuk pranuan të jepnin dëshmi të plota sot, pasi kërkuan që të njiheshin fillimisht me provat që rëndojnë ndaj tyre.
Kush është Irakli Davella
47-vjeçari rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobëvënie” etj.. Në vitin 2011, ai rezultoi pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim” e “lëshim çeqesh të këqija”. Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllanë e një ish-ministre dhe deputete greke. Media greke ndërkohë shkruan se ka dyshime nga policia greke, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet.
Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme. Gjithashtu, në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojërash në “Peristeri” dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë. Gjithashtu, me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq, por nuk dihet nëse është funksional.
“Për shqiptarin Irakli Davella dikur u fol edhe në Parlamentin grek”
Irakli Davella, viktima e atentatit në Athinë, konsiderohet një personazh i lidhur prej vitesh me botën e krimit në Greqi. Në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj., nënvizohet edhe emri i 47-vjeçarit nga Mesopotami i Finiqit, i vrarë dje në Athinë. Ky i fundit rezulton të kishte pasur lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende. Bëhet fjalë për diskutim të partisë “SYRIZA”, mbështetur edhe me dokumente zyrtarë dhe disa të marra nga mediat greke, lidhur me veprimtarinë e njërit prej pjesëtarëve të këtyre grupeve kriminale.
Mes të tjerash, në dokument, pasqyrohen emrat e pjesëtarëve të disa grupeve. Konkretisht në grupin e cilësuar “B”, ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella. Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjeçar shqiptar i arrestuar sivjet si pjesëtar i një grupi gjobëvëniesh, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars, në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënës”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash” etj.. Nuk dihet ekzaktësisht se në cilën nga këto vepra të grupit ka qenë i përfshirë 47-vjeçari shqiptar.
Megjithatë, policia greke dhe asnjë prej autoriteteve ligjzbatuese në Greqi nuk kanë mundur të fiksojnë asnjë fakt penal të kryer nga Davella viteve të fundit, duke bërë të mundur kështu edhe dyshimet se shënjestër mund të kishte qenë miku i tij i ardhur nga Dubai, i cili mund të ketë zgjuar interesin e grupit rival për ta ekzekutuar. Megjithatë, hetimet do të vijojnë në një sërë pistash, bëjnë me dije mediat greke.