Prokuroria e Posaçme kundër Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) urdhëroi këtë të hënë kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve që po zhvillon pasi ka dyshime për tjetërsim pronash në Zvërnec, ku pati edhe protestë kundër ndërtimit të një resorti luksoz.
Ndër emrat ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kontrolle është edhe biznesmeni Redi Struga. Ai është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k.
Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE” të grupit Balfin.
Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development”, ku rezulton administrator, si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.
Kompania InfraKonsult sh.p.k
Kompania InfraKonsult sh.p.k., e administruar nga Redi Struga, është një shoqëri projektuese dhe konsulence inxhinierike që ka qenë e angazhuar në disa projekte infrastrukturore në Shqipëri.
Një nga projektet më të rëndësishme të saj ishte ai për studimin, projektimin dhe zgjerimin e segmentit rrugor Elbasan–Prrenjas–Qafë Thanë, një kontratë e fituar në fund të vitit 2020 me një fond limit prej 530 milionë lekësh dhe me afat realizimi 9 muaj.
Sipas dokumenteve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, InfraKonsult ishte përgjegjëse për hartimin e projektit, kryerjen e punimeve topografike dhe studimeve gjeologjike përgjatë gjithë gjatësisë së aksit, përfshirë edhe zonën ku ndodhi më vonë rrëshqitja masive e dherave që solli shembjen e segmentit Librazhd–Prrenjas.
Kompania kishte gjithashtu rol në mbikëqyrjen teknike të punimeve të kryera në këtë aks. Në muajin shkurt, shembja e rrugës shkaktoi bllokimin e plotë të aksit, duke izoluar për më shumë se 10 ditë Juglindjen e vendit nga pjesa tjetër e Shqipërisë.


