Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, respektivisht Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Pejë ka njoftuar se rezultatet për dyshimin e helmimit të ujit në Deçan kanë dalë negative.
Këtë fakt e ka bërë të ditur Adnora Nurboja nga IKSHPK-ja në Pejë. Ajo pohoi se edhe analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë në përputhje me standardet.
“Ato që i kemi punuar ne në Pejë, analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë në përputhje me standardet”, ka thënë ajo në Radio 1. Edhe Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka deklaruar se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji.