Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi debatet që po zhvillohen nëse çështja në Pogradec për vrasjen e Eglantin Prongës është manipuluar apo fshehur nga autoritetet përkatëse shtetërore.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se reagimet e figurave të politikës janë “rast tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht”.
Sipas kryeministrit, këto reagime kanë ardhur bazuar në diziformacione e keqinformime mes njëri tjetrit, për të “helmuar” më tej opinionin publik.
Po kështu, Rama shprehet se autori Denis Meçe u vetëdorëzua si pasojë e punës së policisë. Më tej shton se urgjenca i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse për të kuptuar se kur mbërriti në vendngjarje momentin e vrasjes.
Postimi i Edi Ramës:
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!
Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.



