Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, kanë ndërmarrë një aksion në Bashkinë e Klosit, për shkak të dyshimeve mbi krime zgjedhore.
Sipas burimeve, gjatë kontrolleve janë sekuestruar disa telefona celularë, ndërsa disa zyrtarë janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Shumë persona të tjerë ndodhen nën hetim, por ende nuk janë bërë të ditura emrat e tyre, për shkak të ecurisë së hetimeve që përfshijnë edhe zona të tjera të Qarkut Dibër.
Ndërkohë, mësohet se mes personave të hetuar janë edhe punonjës të policisë.
Kujtojmë se SPAK vijon hetimet për krime të mundshme zgjedhore edhe në disa qytete të tjera të vendit.