Një grabitje është shënuar në zonën e Shijakut, ku dy të rinj, kërcënuan dy persona me thikë dhe u morën atyre celularët.
Policia ka arrestuar një prej autorëve, shtetasin O.K., 28 vjeç, banues në Shijak, ndërsa tjetri u arratis dhe është shpallur në kërkim.
Bashkëpunëtori në këtë grabitje i cili është shpallur në kërkim, identifikohet Fabian Çalliku, 28 vjeç, po banues në Shijak, i cili rezulton të ketë thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Teksa blutë arrestuan 28 vjeçarin, Çalliku braktisi automjetin dhe u largua me shpejtësi në këmbë.
Në cilësinë e provës është sekuestruar automjeti tip “Benz” e cila u përdor nga autorët e ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Kanosën me mjetë prerës (thikë) dy shtetas, dhe u morën celularët, ndërhyrja në kohë e Policisë identifikoi dhe çoi në pranga një prej autorëve, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin O. K., 28 vjeç, banues në Shijak, dhe shpallën në kërkim shtetasin F. Ç., 28 vjeç, banues në Shijak, (i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi).
Këta shtetas në parkingun e një lokali në fshatin Borakë, Njësia Administrative Xhafzotaj, nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), kanë kërcënuar dy shtetasit H. K, dhe E. D, duke ju marrë telefonat, dhe më pas janë larguar me një automjet tip benz.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke kapur dhe arrestuar njërin prej autorëve dhe vijon puna intensive për kapjen e autorit tjetër i cili braktisi automjetit dhe u largua me shpejtësi në këmbë.
Në cilësinë e provës materiale Policia sekuestroi automjetin tip benz i përdorur nga autorët e ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.