Detaje të reja kanë dalë nga hetimet mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të premte në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku dy të rinj nga Kamza u plagosën me armë zjarri pranë stadiumit të qytetit.
Sipas burimeve zyrtare, policia ka gjetur një armë zjarri tip pistoletë, e futur në një çantë krahu pranë vendit të ngjarjes. Arma dyshohet se i përket njërës prej viktimave, Ernest Lama (24) ose Gëzim Hoxhaj (32), të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, pas transportimit me helikopter nga Saranda.
Në skenën e krimit janë sekuestruar gjithashtu katër gëzhoja, të shkrepura nga arma e përdorur nga autorët, të cilën kanë marrë me vete pas sulmit.
Policia dhe FNSH kanë intensifikuar kontrollet në qytet, ndërsa hetuesit dyshojnë për përfshirje të personave të tjerë në atentatin e sotëm. Nuk përjashtohet që ngjarja të jetë e lidhur me konflikte të mëparshme kriminale, si dhe me episode të tjera të ndodhura në Sarandë gjatë muajve të fundit.
Autorët e dyshuar
Në kërkim janë shpallur Ramadan Zoto (alias Ramadan Canaj, 42 vjeç) dhe vëllai i tij, Erjon Canaj (35 vjeç), të dy nga Saranda, të njohur për një seri veprash penale:
Ramadan Zoto ka qenë i dënuar në Greqi për vrasje me paramendim, grabitje me armë dhe shkëmbim zjarri me policinë greke në vitin 2008.
Erjon Canaj ka precedentë për dhunë ndaj personelit shëndetësor dhe armëmbajtje pa leje, por është shpallur i pafajshëm për çështjen e fundit nga Gjykata e Sarandës në fillim të këtij viti.
Hetimet vijojnë në disa pista, përfshirë atë të larjes së hesapeve, ndërkohë që gjendja e të plagosurve mbetet kritike dhe nuk dihet ende nëse do të jenë në gjendje të japin dëshmi për hetimin.