Po shqyrtohen tre propozime të reja në Komisionet Parlamentare që synojnë të përfshihen në Kodin e Punës, me qëllim garantimin e të drejtave fetare për punëmarrësit myslimanë.
Këto ndryshime përfshijnë dhënien e dy orëve leje çdo të premte për faljen e xhumasë, lejen për të kryer faljet ditore gjatë orarit të punës, detyrimin për të siguruar ambiente të posaçme faljeje në vendet e punës ku ka mbi 50 punonjës myslimanë.
Sipas propozimeve, punëdhënësi do të duhet të respektojë kërkesat e punëmarrësve për kryerjen e riteve fetare, për aq kohë sa kjo nuk pengon zhvillimin normal të punës.
Megjithatë, gjatë diskutimeve në komision janë ngritur edhe shqetësime për mundësinë e abuzimeve me lejet, si dhe për krijimin e precedentëve që mund të kërkohen edhe nga persona të tjerë për arsye të ndryshme.
Deputetët mbështetës të nismës theksuan se besimi dhe ndershmëria e punonjësve myslimanë duhen respektuar, ndërsa shteti duhet të garantojë të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për liritë fetare.
Në shumë vende të botës, përfshirë dhe ato perëndimore, është praktikë që punonjësve t’u krijohen kushte për falje gjatë orarit të punës, si pjesë e respektit ndaj diversitetit dhe të drejtave të njeriut.