Kreu i SPAK u pyet te Komisioni i Ligjeve nga deputeti i PD-së, Klevis balliu për disa nga çështjet politike dhe të sigurisë gjatë këtij viti.
Ligjvënësi kërkoi të dinte përse Prokuroria e Posaçme nuk kishte hetuar bandën që kërcënoi gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit në Vorë deputeten Albana Vokshi, se do i merrnin peng të bijën. Ai gjithashtu shtroi pyetjet për hetimin e dy denoncimeve të zyrave elektorale të PS-së në Tiranë po ditën e zgjedhjeve.
Në fillim prokurori Adnan Xholi dhe më pas vetë kreu i institucionit, Altin Dumani, shpjeguan se kallëzimi ishte regjistruar menjëherë pas telefonatës nga SPAK dhe pasi ishte verifikuar rezultoi se nuk përbënte kompetencë vepra penale e kanosjes, duke e përcjellë tek Policia e Tiranës.
E njëjta procedurë u ndoq edhe për denoncimin e zyrave elektorale të PS-së për shit-blerjen e votës.
“Është e vërtetë që zonja Vokshi ka telefonuar disa herë me ne dhe te linja e gjelbërt, telefonata u konsiderua menjëherë dhe jemi vënë në lëvizje, kemi mbajtur kontakt me zonjën Vokshi dhe Policinë e Tiranës dhe është përqendruar te institucioni kompetent për këtë kallëzim, pasi siç e dini SPAK ka kompetencë të caktuar. Por ne kemi vepruar dhe kemi deleguar, ishte një vepër tjetër që s’kishte lidhje me kompetencën tonë, ishte kanosje, e s’mund të shkelim kompetencën tonë, korrupsion pasiv dhe aktiv zgjedhor kemi ne kompetencë, e pikërisht për kanosjen ishe kompetencë e një tjetër institucioni, ku dhe ne e referuam. Por brenda minutës që u dha informacioni, kanosja nga disa persona, është referuar dhe janë kryer veprimet e rastit”, shpjegoi prokurori Xholi.
Këmbënguljes së Balliut në një moment Dumani iu përgjigj me argumentin se ata ishin institucion ligjzbatues dhe nuk bënin komente politike, por ndiqnin provat.
“Ka qenë në cilësinë e kallëzueses deputetja Vokshi dhe jo të kallëzueses. Ju jeni deputet që bëni edhe komente politike sepse jeni i mandatuar nga populli dhe është e drejta juaj të bëni komente, por nuk mund të jap përgjigje jashtë detyrës. Ne nuk merremi me komente politike, ne merrmi me prova. Nëse na bën përshtypje prova, nuk na intereson emri apo pozita e tjetrit. Për zyrat elektorale”, tha kreu i SPAK.
Ndërsa për denoncimet e zyrave elektorale të 2 deputetëve të PS ën Tiranë më 11 maj, Dumani sqaroi se:
“Aq kemi mundësi dhe aq kemi bërë, jemi të gatshëm për të informuar për këtë. Veprimet hetimore i ka bërë Policia Tiranës dhe i ka përcjellë te Prokuroria e Përgjithshme dhe e Tiranës, sepse nuk është kompetenca jonë”.
Kurse për pyetjet në lidhje me çështjen Aruba apo Ecoparkun, pasi deputeti Balliu vijoi të kërkonte shpjegime shtesë, Dumani tha se ai e kishte dhënë më parë përgjigjen.
“Thashë se nuk njoh çështje me emrin Aruba. Edhe për Ecoparkun përgjigjen e dhashë”, u shpreh ai.
Në fund Dumani vuri në dukje para Komisionit të Ligjeve edhe kërcënimet serioze ndaj të cilave përballeshin prokurorët e SPAK.
“Prokurorët kanë rënë preh e kërcënimeve serioze dhe jo dosido, të grupeve kriminale. Por prokurorët e SPAK kanë vijuar punën e tyre duke i goditur ato, e thashë janë 16 grupe të goditura. A duhet bërë më shumë, po mund të bëhet më shumë”, përfundoi Dumani.