Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka komentuar ndryshimet e propozuara nga qeveria për Kodin e ri Penal, gjatë një takimi informal me gazetarët.
Sipas tij, debati për draftin ishte i pritshëm, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë shoqëror, por theksoi se diskutimi duhet të niste me pyetjen: “A ishte i nevojshëm një Kod i ri?”
“Ne nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e këtij drafti. Ende nuk na është vënë në dispozicion. Kur të na vihet, do të japim edhe mendimin tonë”, u shpreh Dumani.
Ai komentoi edhe qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke shtuar se “në disa aspekte bie dakord me të”.
“Debati është i pritshëm. Diskutimi duhet të fillojë me pyetjen nëse ishte apo jo i nevojshëm një Kod i ri Penal. E kam ndjekur reagimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në disa aspekte bie dakord me të”, tha më tej kreu i SPAK.