Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të strukturuar të trafikut të drogës, duke vënë në pranga tre vëllezër shqiptarë, të cilët dyshohet se ishin organizatorët kryesorë të shpërndarjes së kokainës në zonën midis Pioltellos dhe Rodanos.
Arrestimet u kryen pas një hetimi të thelluar të nisur që prej janarit të vitit të kaluar, kur një parukiere në Via Veronese u ndalua nga policia. Në sallonin e saj të bukurisë u gjetën të fshehura katër blloqe kokaine midis kolltukëve dhe lavamanëve të flokëve. Ajo shërbente si magazinierja e drogës për rrjetin.
Gjatë operacionit u sekuestruan edhe peshore precize, materiale për paketim, kompjuterë dhe telefona celularë, të përdorur për menaxhimin e porosive dhe kontaktet me klientët.
Sipas hetimeve, rrjeti e shpërndante kokainën në doza të vogla prej gjysmë grami me një çmim rreth 40 euro, duke gjeneruar një qarkullim të konsiderueshëm financiar. Fitimet e paligjshme menaxhoheshin përmes dhjetë llogarive rrjedhëse bankare, të cilat tashmë janë bllokuar nga autoritetet.
Tre vëllezërit shqiptarë, të moshës rreth 40 vjeç, u arrestuan pas lëshimit të urdhrit të paraburgimit nga prokuroria përkatëse. Ata dyshohen se kishin ndërtuar dhe drejtonin një sistem të sofistikuar trafiku, nga sigurimi i lëndës narkotike deri te shpërndarja e saj në territor.
Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme dhe për të shkatërruar tërësisht rrjetin e trafikut, i cili dyshohet të jetë i mirëstrukturuar dhe me shtrirje të gjerë në zonën përreth.