Ngjarje e rëndë ka ndodhur në institucionet shqiptare. Drejtori i Mjedisit në IKMT, Klesti Çela ka dhunuar në zyrë drejtorin e Ekzekutimit të Vendimeve në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Fatmir Meta.
Burime bënë me dije se konflikti ka ndodhur brenda Institucionit të IKMT-së, teksa Fatmir Meta është dhunuar me qytë pistolete nga 4 persona.
Gazetarja Klodian Lala raporton se Klesti Çela, drejtor i Mjedisit, është kunati i Ergys Agasit, ky i shpallur në kërkim për skandalin e tenderave të AKSH-it.
Mësohet se drejtori i Mjedisit, Çela bashkë me tre persona të tjerë i ka shkuar Fatmir Metës në zyrë dhe e kanë dhunuar.
Burime theksojnë se përplasja e rëndë brenda institucionit ka të bëjë me një konflikt që lidhet me një grup inspektimi për çështjen e depozitimit të dherave.
Klodiana Lala raporton se debati fillestar ka nisur verbalisht mes Fatmir Metës dhe Klesti Celës dhe një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike me qytën e pistoletës, brenda ambienteve të institucionit të IKMT.
Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Pas incidentit të rëndë, Klesti Çela mësohet se ka shkuar në zyrën e Afrim Qendros, ku ka kërkuar dorëheqjen nga IKMT.
Fatmir Meta është drejtuesi i IKMT që ka shembur shumë objekte, së fundmi ka drejtuar aksionin e prishjes së banesave në Theth, ku nuk munguan përplasjet me molotov me banorët e zonës.


