Autori i emisionit investigativ Vetting në News24, Ardian Bushi, ka bërë publike detaje të reja mbi ndërhyrjen e autoriteteve në ambientet e televizionit, të cilat ai i cilëson të “uzurpuara”.
“Pjesa dërrmuese e dosjeve që Vetting ka denoncuar me prova janë zhdukur, ndërsa dosjet e reja për Ballukun ishin kryesore. Kjo më bën të besoj se ky ka qenë qëllimi i ndërhyrjes banditeske,” tha Bushi.
Sipas tij, nga informacionet e mbledhura, ‘bashkëjetuesja e Abazit ka lidhje familjare me Ballukun, ndërsa Abazi ka dy fëmijë me një të afërme të saj’.
Bushi theksoi se pavarësisht fëmijëve, çifti nuk ka lidhur martesë ligjore. Ai akuzoi se është ndërhyrë në kompjuterët e redaksisë, duke shtuar se përmbaruesit kanë vepruar me urdhër politik.
“Dosjet kryesore që kishim për publikim në shtator për zv/kryeministren Balluku janë zhdukur. Ky ishte qëllimi i kësaj ndërhyrjeje. Ne do ta rindërtojmë sërish dosjen dhe do të vazhdojmë denoncimin. Na goditën, por jemi më të bashkuar, më të fortë dhe më të vendosur,” u shpreh Bushi.