Në vijim të procesit gjyqësor për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar sot i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, i cili ka dhënë detaje të reja për ngjarje, takime dhe persona që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në komplotin për eliminimin e tij fizik.
Në dëshminë e dhënë para trupës gjykuese, Alibej deklaroi se ishte rikthyer fshehurazi në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër në Qafëbotë, ndërkohë që ndodhej në kërkim. Ai tregoi se pas mbërritjes, kontaktoi Genc Tafilin dhe e ftoi në banesën e tij. Tafili, sipas tij, mbërriti së bashku me Dorian Dulin, dhe të dy ishin të armatosur.
“Tafili më tha se Doriani kishte pasur një takim me Talo Çelën dhe dy persona nga Mirdita. Ndaj u larguam menjëherë nga banesa. Më pas u përpoqa ta takoja sërish, por ai nuk pranoi,” dëshmoi Alibej.
Në vijim, ai përmendi edhe emra të tjerë të botës së krimit, përfshirë Suel Çelën dhe Kamer Mehjen. “Sueli më tha që Kameri nuk vinte në takim sepse aty ishin ‘katunarët’, duke iu referuar familjes Çapja. Më propozoi të takoheshim te tregu, dhe pranova për të mos lënë përshtypjen se kisha frikë.”
Takimi, sipas Alibejt, u zhvillua në një lokal pranë tregut, ku ishin të pranishëm Kamer Mehja dhe Mario Çela. “E pyeta Kamerin nëse kishte lidhje me fishekzjarrët që u hodhën ditën që u vranë familjarët e mi. Ai mohoi çdo përfshirje dhe tha se nuk e njihte vëllain tim, Endritin,” tha ai.
Një tjetër figurë kyçe në dëshminë e Alibejt ishte Ervis Nano, i njohur prej tij si “Ermali”. Sipas tij, Nano kishte takuar në Fushë Krujë Flobenc Meçen, i njohur si “Çoli Shkodrani”. Gjatë një takimi me këtë të fundit, ishin përmendur emrat e Altin Ndoci, Talo Çela dhe Mikael Kamami.
“Në atë takim u shtrua pyetja: ‘Sa lekë do që të vrasësh Erionin? Vendose vetë shifrën’,” dëshmoi Alibej, duke pretenduar se kishte qenë objekt i një skeme për atentat.
Ai deklaroi gjithashtu se kishte dyshime të forta se po përgatitej një pritë ndaj tij. “Doriani më ftonte vazhdimisht të dilja jashtë, të qetësohesha. E kuptova që nuk ishte rastësi,” tha ai.
Si personin më të besuar e përmendi Ardian Çollakun, tashmë i ndjerë, për të cilin tha se kishte qenë i përfshirë në rrjetin e informacionit brenda grupit rival. “E kisha pajisur me aplikacionin e enkriptuar EnchoChat dhe e ndihmoja ekonomikisht pas burgut që të më shërbente si burim informacioni,” pohoi ai.
Sipas Alibejt, Çollaku kishte marrë pjesë edhe në biseda për ndarjen e parave mes grupeve dhe kishte pyetur Mikael Qosen mbi origjinën e përplasjes. “Qosa i ishte përgjigjur: ‘Ka qenë shumë i tmerrshëm Indriti (vëllai i Erionit)’.”