Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca në një prononcim për mediat tha se dosja ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës është shumë voluminoze.
Pas shtyrjes së seancës në themel, ai deklaroi për mediat se nuk ka strategji për të shtyrë procesin, por duan kohë për t’u njohur me dosjen.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, pasi siç u shpreh avokati Ndreca, ai i është drejtuar me shkresë gjykatës, ku argumenton se është duke lexuar dosjen.
“Unë vlerësoj që ajo që konstatohet është fakti që ka një nxitim për të bërë një proces që është voluminoz. Ju e dini që ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë mundësinë Erion Veliajt për tu mbrojtur.
Nuk e kuptoj nxitimin, nuk e kuptoj nxitimin për të cënuar të drejtat kushtetuese.
Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt është një lidhje emocionale dhe nuk ka lidhje me përputhjen e rolit të prokurorit.
Nuk ka strategji për ta shtyrë, por për ta njohur çështjen në themel. Ne do kemi një ekip jo vetëm avokatësh, por edhe ekspertësh.
Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij. Ai akoma nuk është njohur me dosjen. Ka filluar leximi, ai lexon me një rritëm 200-300 faqe në ditë dosjen. Por është një dosje shumë voluminoze. Vetëm prova materiale janë rreth 1500 faqe”, tha Ndreca.


