Gjykata e Posaçme ka zbutur masën e sigurisë “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për shtetasin kinez, Hongping Xiao, CEO i kompanisë Bankers Petroleum, i arrestuar gjatë aksionit në fillim të muajit korrik të vitit të kaluar, bashkë me ish drejtorin Leonidha Çobo dhe disa të tjerë.
Në fund të dhjetorit, SPAK zgjati edhe me 3 muaj afatet për hetimin e aferës së Bankers. Në Tetor, Prokuroria e Fierit ia kaloi dosjen SPAK-ut pasi gjatë hetimeve dolën në dritë elementë të rinj që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit, që përfshijnë zyrtarë të lartë, si edhe grup të strukturuar kriminal.
Nga hetimet paraprake, rezulton se kompania Bankers përgjatë 20 viteve ka deklaruar ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Hetimet nga prokuroria e Fierit nisën pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila evidentoi skemën e dyshuar të mashtrimit fiskal.


