Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj do të përballet me një proces gjyqësor në themel, pas vendimit të marrë nga gjyqtari paraprak Erjon Cela.
Ahmetaj është një nga gjashtë të pandehurit në dosjen e njohur si “Buka”, ku akuzohet për shpërdorim detyre.
Vendimi për kalimin në gjykim vjen pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet për këtë çështje. Tashmë, dosja do të shqyrtohet në themel nga trupa gjykuese, ndërsa mbetet të shihet si do të vijojë procesi ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Kujtojmë se ish-kryeministri Arben Ahmetaj, ndodhet në arrati prej korrikut të vitit 2023, për shkak të hetimeve të SPAK, e cila lëshoi një urdhër-arresti ndaj Ahmetajt.
Vendimi:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë
21.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të
çështjes penale nr. 154, viti 2022, në ngarkim të të pandehurit Arben Ahmetaj, i akuzuar
për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i
K.Penal”.
2. Në seancën e datës 25.07.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari
Erjon Çela, me vendimin nr. 7/34/124, datë 25.07.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar.
2. Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 154, i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit:
– Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”
e parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
3. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve
paraprake dhe aktet e seancës paraprake.
4. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së
bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës
së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për
gjykimin e çështjes së themelit, brënda dhjetë ditëve nga shpallja e tij.
5. Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit.