Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka pranuar kërkesën e ish kreut të ARRSH, Evis Berberi dhe të pandehurve të tjerë për të zhvilluar procesin me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Në seancën e radhës në gjykatë, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) duhet të bëjë gati konkluzionet përfundimtare.
Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024, në akuzë për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.


