Indi- Një gjykatë indiane ka dënuar me vdekje burrin që akuzohet se dogji të gjallë gruan e tij, Lakshmi, sepse ajo kishte lëkurë të errët.
Sulmi ndaj gruas së re ndodhi natën e 24 qershorit 2017, kur autori i krimit, i quajtur Kisantash, u kthye në shtëpi dhe i dha gruas së tij një shishe plastike me lëng ngjyrë kafe, të cilin ai e pretendoi se ishte ilaç për të zbardhur lëkurën e saj.
Sipas deklaratave, ai e lyeu lëngun në trupin e saj dhe kur ajo u ankua se mbante erë acidi, ai i vuri flakën me një shkop temjani të ndezur. Kur trupi i saj filloi të digjej, ai derdhi lëngun e mbetur mbi të dhe iku.
Prindërit e Lakshmit dhe motra e saj, Kisandas, e çuan atë në spital, ku ajo vdiq disa orë më vonë.
Në deklaratën e saj në polici para vdekjes, gruaja tha se burri i saj “vazhdimisht e poshtëronte sepse kishte lëkurë të errët”. Lakshmi tha konkretisht se burri i saj shpesh e quante “kali” (e errët) dhe e poshtëronte për trupin e saj që nga martesa e tyre në vitin 2016.
Gjykatësi i qarkut Rahul Choudhary e quajti vrasjen e gruas së re një “krim kundër njerëzimit”, duke justifikuar dënimin me vdekje.
“Nuk do të ishte ekzagjerim të thuash se ky krim tragjik dhe barbar nuk ishte drejtuar vetëm kundër Lakshmi-t, por edhe kundër njerëzimit”, tha ai në vendimin e tij. Kisandas, shtoi ai, “tradhtoi besimin e gruas së tij” dhe tregoi “mizori të tepruar duke derdhur lëngun e mbetur mbi të” ndërsa ajo po digjej. “Ky është një krim që trondit ndërgjegjen dhe është i paimagjinueshëm në një shoqëri të shëndetshme dhe të civilizuar”, përfundoi ai në vendimin e tij.
Prokurori publik Dinesh Paliwal e quajti vendimin “historik” dhe shprehu shpresën se do të shërbente si një “mësim për shoqërinë”.
“Një grua e re në të 20-at u vra brutalisht. Ajo ishte motra e dikujt, vajza e dikujt, ajo kishte njerëz që e donin. Nëse nuk i mbrojmë vajzat tona, atëherë kush do ta bëjë?” tha ai.
Avokati i Kisandas i tha BBC-së se klienti i tij është i pafajshëm dhe do të apelojë. Ai argumentoi se vdekja e Lakshmi-t ishte një aksident dhe se nuk kishte prova kundër klientit të tij, i cili ishte akuzuar padrejtësisht.
Vendimi i gjykatës së Udaipurit ka nxjerrë në pah edhe një herë qëndrimet raciste ndaj njerëzve me lëkurë të errët në Indi. Vajzat dhe gratë me nuanca më të errëta të lëkurës shpesh quhen me emra përçmues dhe diskriminohen, ndërsa tregu i produkteve për zbardhjen e lëkurës është një biznes miliarda dollarësh.