Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me alarmin për bombë në shkollën jo publike “Turgut Ozal”.
Në njoftim blutë shprehen se pas verifikimit, rezulton se alarmi është i rremë.
Një email mbërriti tek adresa e shkollës , në gjuhën angleze, në të cilën shkruhej se për 43 minuta do të shpërthente një bombë.
Kjo më pas ka sjellë evakuimin e nxënësve dhe të stafit.
Mësuesit kanë dërguar mesazh prindërve të nxënësve për evakuimin nga shkolla.
“I nderuar prind,
Ju informojmë se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë! Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare”, shkruhet në mesazhin drejtuar prindërve nga stafi i shkollës.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve
LEXONI EDHE: Alarm për bombën në shkollën private “Turgut Ozal”! Evakuohen nxënësit
NJOFTIM
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve