Kamera e emisionit “Tak Fak” në News24 ka udhëtuar drejt Rrogozhinës për historinë e Edison Toskës, një gardian me mbi 22 vite shërbim në sistemin e burgjeve dhe Policinë e Shtetit, të cilit për 14 muaj nuk i janë paguar sigurimet.
Toska tregon se gjatë periudhës kur burgu po restaurohej dhe ai punonte aty (dhjetor 2000 – janar 2002), sigurimet e tij nuk u regjistruan në sistemin e Sigurimeve Shoqërore. Ai akuzon drejtpërdrejt ish-shefen e Financës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjinovefa Çelën, për këtë mungesë të dokumentacionit.
“Unë kam shërbyer me përkushtim në katër burgje dhe në Policinë e Shtetit, gjithsej 23 vite punë. Rrogën e kam marrë, por sigurimet nuk më janë hedhur për 14 muaj, dhe kjo më pengon të marr pensionin e plotë,” thotë Toska.
Pas daljes në pension të parakohshëm në janar 2025, ai përballet me mungesën e dokumentacionit që vërteton periudhën e punës në Rrogozhinë. Arkiva Qendrore e Sigurimeve Shoqërore në Lundër i ka refuzuar kërkesën për dokumente për periudhën dhjetor 2000 – janar 2002, duke u justifikuar se regjistrat fillojnë vetëm nga maji i vitit 2005.
Toska kërkon nga institucioni i fundit ku ka punuar, Burgu i Fierit, të ndjekë zinxhirin e plotësimit të dokumentacionit, në mënyrë që vitet e tij të punës të regjistrohen saktë dhe ai të përfitojë të drejtën e pensionit.
“Nuk do të ndalem derisa të më zgjidhet problemi, sepse kam shërbyer shtetit shqiptar me dinjitet. Nuk i ndahem problemit derisa te vdes,” përfundon gardiani.