Vajza 6-vjeçare, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia që goditi sot familjen Azizllari në Maliq, ka mbërritur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku është dërguar me urgjencë për shkak të djegieve të shumta në trup dhe gjendjes së rëndë shëndetësore.
Burime bëjnë me dije se e mitura po trajtohet në repartin e djegie-plastikës, ku i janë kryer ekzaminimet e para dhe po iu nënshtrohet analizave të thelluara nga ekipi mjekësor.
Në një prononcim për “News24”, xhaxhai i fëmijëve ka treguar se vajza ka mundur të dalë vetë nga shtëpia dhe ka shpëtuar falë ndihmës së fqinjëve.
“Vajza doli vet nga banesa. Ndihma e parë iu dha nga fqinjët tanë”, tha ai, ndërsa shoqëronte vajzën në QSUT.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në një lagje të Maliqit, ku një zjarr në banesën e familjes Azizllari i mori jetën nënës, Merjeme Azizllari (40 vjeç) dhe djalit 14-vjeçar, Luka.
Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët,ndërsa fqinjët kanë deklaruar se mund të jetë shkaktuar nga vetë fëmijët, të cilit ishin diagnostikuar me spektrin autik.
“Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.
Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e familjes, Benereta Pashollari.
Ndërkohë, Bashkia e Maliqit ka premtuar mbulimin e plotë të shpenzimeve dhe po ndjek nga afër gjendjen shëndetësore të vajzës së mbijetuar, e cila ndodhet në trajtim intensiv në Tiranë.