Një ngjarje absurde është regjistruar në Kavajë, ku një 28-vjeçar inskenoi rrëmbimin e vet për të mashtruar babain dhe për të përfituar para. Policia arrestoi në flagrancë autorin dhe bashkëpunëtorin e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Lubjan Camema, 28 vjeç, banues në Kavajë, ka mashtruar të atin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh.
Në Durrës, në lagjen nr. 16, u kap në flagrancë bashkëpunëtori Bernard Kiptiu, 45 vjeç, teksa i kërkonte babait të 28-vjeçarit shumën e parave të pretenduara për “shpërblimin” e të birit.
Vetëm 100 metra larg, shërbimet e Policisë gjetën Lubjan Cameman, i cili në fakt ishte i lirë dhe kishte inskenuar rrëmbimin për të përfituar para. Dyshohet gjithashtu se dy ditë më parë i kishte marrë automjetin të atit dhe e kishte shitur.
Të dy të ndaluarit po hetohen për “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë.
Njoftimi i policise
Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, vihet në pranga 28-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh.
Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij.
Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.