Sanie Selmani, nëna e Ilirjan Selmanit, 31-vjeçari i arrestuar për vrasjen e partneres së tij Kozeta Teço, ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj të birit, duke këmbëngulur se ai është i pafajshëm dhe nuk do të ishte në gjendje të kryente një krim të tillë.
Jashtë kamerave, ajo deklaroi se mëngjesin e 28 korrikut djali i saj ishte kthyer nga Korça dhe kishte shkuar te banesa e Kozeta Teços, si zakonisht, për të hedhur mbeturinat. Sipas saj, viktima nuk mund të lëvizte dhe ai kujdesej për këtë pjesë.
““Djali im nuk mund të vriste askënd, dje ai u kthye nga Korça dhe vajti tek dera e viktimës mori mbeturinat sic bënte gjithmonë sepse ajo nuk lëvizte dhe i hodhi në kazan. Nuk e ka bërë ai ketë vrasje, nuk ka prova. Ne nuk ishim dakord për marrëdhënien me të, por ai pavarësisht se ne nuk ishim dakord e kishte pranuar siç ishte viktimën dhe nuk i kemi kërkuar të ndahet.”, tha Sanie Selmani.
Ajo shtoi se i biri vuante nga zemra dhe u trajtua me dhunë gjatë arrestimit. “Djalin tim e njohin të gjithë mund te pyesni, ai nuk krijonte probleme. Kam lexuar në media shume gënjeshtra për djalin tim, dje erdhën shume policë, desh e mbytën kur e morën. Ai është i sëmurë nga zemra. Policia të nxjerre të vërtetën, nuk është djali im siç thuhet në media ”, përfundoi ajo.
Ndërkohë, Ilirjan Selmani akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi dyshohet se goditi me thikë Kozeta Teçon dhe i vuri flakën banesës për të zhdukur gjurmët. Provat kryesore në ngarkim të tij janë pamjet e kamerave të sigurisë dhe materialet e sekuestruara nga vendngjarja. Hetimet vijojnë.