Pedagogu Ervin Goci ka shprehur solidaritetin e tij me gazetarët dhe komunitetin e medias pas ndërhyrjes së policisë ndaj redaksisë së Focus Media Group. Në një interivste për News24 nga jashtë godinës së uzzurpuar, ai e cilësoi 9 gushtin si një nga ditët më të errëta për historinë e postkomunizmit në Shqipëri.
Ai theksoi se kjo situatë është një shkelje e rëndë e parimeve demokratike: “Në përvojën e vendeve perëndimore, kur thua shtet, gjëja e fundit që të shkon në mendje është policia, dhuna dhe dajaku. Përkundrazi, shteti atje financon dhe mbështet median. Ky është akt i pastër terrori dhe duhet të ngrihet zëri shumë fort. Duhen bërë akte të forta.”
Ai i beri thirrje shoqërisë, politikes dhe qytetarëve të reagojnë kundër çdo forme presioni e dhune ndaj medias, duke e konsideruar lirinë e saj si një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
Ervin Goci: Erdha të shpreh solidaritet me ju, me komunitetin e medias. Edhe me ata gazetarë që nuk janë këtu, por që cënohet puna e tyre, siguria e tyre.
Gjëja që më ka shokuar më shumë është që ne kemi arritur në pikën që në Shqipëri mund të bësh gjithçka. Në atë pikë që media trajtohet si një kapanon fasonerie, që ti fiton një çështje gjyqësore, për të cilën unë nuk kam informacion. Unë di vetëm një gjë: që nuk mund të futesh në redaksinë e një media pa krijuar kushtet që media të bëjë tranzicionin, të kalojë diku tjetër. Madje nuk duhet t’i bësh as presion, jo më ta nxjerrësh me dajak.
Unë mendoj se kjo datë është shumë e zezë për historinë e postkomunizmit. Është një ditë shumë e zezë, sepse shpreh një horror të madh në një situatë ku janë të gjitha format dhe mekanizmat që shteti, siç ndodh në Perëndim, kur ti thua “shtet”, gjëja e fundit që të shkon në mendje është polici, dhuna dhe dajaku. Eksperienca e vendeve evropiane është që shteti të financojë dhe mbështesë median.
Ky është akti i pastër terrori dhe duhet të ngrihet zëri shumë fort. Duhen bërë akte të forta.