Dita e 10- të e grevës së naftëtarëve në Marinzë, ka filluar me një tubim para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum ku me pankarta në duar kanë shprehur vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund plotësimit të kërkesave të tyre.
Sipas kreut të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur Dritan Shahu, gjatë këtij tubimi përfaqësues të kompanisë kanë fotografuar e filmuar punonjësit, një formë presioni që është ndjekur si taktikë nga ata edhe gjatë tubimeve të mëparshme.
Ndërkohë gjendja shëndetësore e 10 anëtarëve të këshillit sindikal të cilët janë në ditën e 10-të të grevës së urisë pa afat, përkeqësohet nga dita në ditë. Sotiraq Dano, dhe Dorjan Dylmishi pohojnë se janë të vendosur të rrezikojnë edhe jetën e tyre, për të mos u tërhequr nga kauza e tyre ndërsa shprehin keqardhjen që fusha naftëmbajtëse është pa mbikëqyrjen e tyre.
“Inxhinierë, por të mjerë”. Kështu jemi ne thonë inxhinierët e rinj Valter Nukaj, dhe Arti Barjami, të cilët prej vitesh nuk njohin rritje page. Kryeministri thotë që punë ka, por profesionistë jo. Ne ja ku jemi, le të na vlerësojnë thonë ata njëzëri.
E ndërsa kompania nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete, naftëtarët ende nuk kanë asnjë përgjigje as nga Kryeministri Rama e as nga Ministria përkatëse.


