Shqipëria iu bashkua sot vendeve të tjera të botës në Ditën Ndërkombëtare të Ozonit, me një program të pasur aktivitetesh sensibilizuese në shkolla, universitete dhe qendra komunitare. Nëpërmjet artit, sportit dhe edukimit, të rinjtë shqiptarë përcollën mesazhin e mbrojtjes së shtresës së ozonit dhe klimës, duke dëshmuar se edukimi mjedisor është një investim për të tashmen dhe të ardhmen, që i bën të rinjtë aktorë aktivë të ndryshimit.
Këtë vit, e gjithë bota shënon 40 vjetorin e Konventës së Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit, e cila, së bashku me Protokollin e Montrealit, është cilësuar si marrëveshja më e suksesshme mjedisore në histori. Falë shkencës dhe vendimeve të përbashkëta politike, përdorimi i substancave që hollonin ozonin është reduktuar ndjeshëm, duke vënë shtresën e ozonit në rrugën e rikuperimit. Marrëveshjet për ozonin kanë dëshmuar se kalimi nga shkenca në veprim global është i mundur dhe mbeten një shembull frymëzues për përballimin e sfidave të tjera mjedisore.
Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare dhe ka realizuar me sukses angazhimet e saj. Vendi ka arritur të reduktojë në një masë të gjerë konsumin e HCFC-ve (gazrat që dëmtojnë ozonin) dhe po shkon drejt eliminimit të plotë të tyre deri në vitin 2030.
Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, një nga shkollat elitare në kryeqytet, Njësia Kombëtare e Ozonit zhvilloi një aktivitet informues dhe një ndeshje basketbolli simbolike që bashkoi nxënësit në një mesazh të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit.
Pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Njësia Kombëtare e Ozonit ishte edhe një ekspozitë me piktura të realizuara nga nxënës të disa shkollave 9 vjeçare në Tiranë”. Përmes imagjinatës artistike, nxënësit shprehën ndjeshmërinë për mbrojtjen e natyrës përmes mbrotjes së shtresës së ozonit.
Ndërsa në Qendrën Kulturore të Fëmijëve u mbajt një workshop edukativ mbi rëndësinë e shtresës së ozonit si mburoja natyrore e jetës. Këto aktivitete të Njësisë Kombëtare të Ozonit në Shqipëri ndërthurën kreativitetin, sportin dhe shkencën, duke e shndërruar Ditën e Ozonit në një festë të dijes, kreativitetit dhe angazhimit për mjedisin, por edhe në një moment reflektimi dhe veprimi për një të ardhme më të pastër e të qëndrueshme.