Gjatë ceremonisë mortore të ish-liderit socialist dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, disa prej socialistëve të brezit të vjetër na risollën në kujtesë një ngjarje që, siç e pohuan edhe vetë, ndryshoi rrjedhën e politikës shqiptare, një histori që lidhet ngushtë me median tonë.
Ishte tetori i vitit 2005, kur Partia Socialiste pas dorëheqjes së Nanos, ndodhej në një udhëkryq. Kongresi i Jashtëzakonshëm duhej të zgjidhte kryetarin e ri, por në ditën e parë, platforma e Edi Ramës u rrëzua me shumicë votash. Në atë moment, askush nuk e mendonte se fati i PS-së dhe i vetë Ramës do të ndryshonte brenda 24 orësh nga faqja e parë e një gazete.
Më 9 tetor 2005, gazeta më e madhe në vend “Panorama” doli me një titull që do të bënte histori “KËRCËNOJNË 26 DEPUTETË: SOT VOTIM, OSE PARTI E RE!”
Kjo thirrje publike tronditi bazën socialiste, ndezi alarm për përçarje dhe detyroi delegatët të bashkoheshin rreth Ramës për të shmangur ndarjen përfundimtare të partisë. Ishte një gazetari që i parapriu politikës, një reagim mediatik që do të shkundte apatinë e një force në krizë. Ishte gazeta “Panorama” ajo që ndezi motorët e ndryshimit, duke i hapur rrugën Edi Ramës drejt drejtimit të PS-së e më pas të qeverisë.
Një dekadë më vonë, po ai njeri që mori hov nga një titull i “Panorama”, do të urdhëronte largimin e gazetarëve të saj nga godina e redaksisë. Me polici, administratë dhe forcë shtetërore, u përzu stafi i gazetës më të madhe në vend, asaj që dikur i dha zë ambicies së tij politike.
Ajo që nisi me një titull që nxiti bashkim, përfundoi me një akt që simbolizon përjashtimin. Dhe ndoshta ky është kontrasti më i fortë mes dy kohëve; periudha e Fatos Nanos, që e pranoi kritikën dhe debatin, dhe ajo e sotmja, që i sheh mediat e pavarura si kundërshtarë.
Ngjarjet, ashtu siç i kujtojnë socialistët e vjetër dhe siç e dëshmon arkiva e pasur e gazetës më të madhe në vend, mbyllen në mënyrë paradoksale. “Panorama”, gazeta që dikur i hapi derën e pushtetit Edi Ramës, sot gjendet e luftuar dhe e ndëshkuar prej tij./News24


