Situata në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” ka dalë jashtë kontrollit. Prej më shumë se dy javësh, zjarri vijon të përhapet në një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, duke shkrumbuar mbi 200 hektarë pyje halore, nga Liqeni i Luleve deri në Malin e Dejës.
Zall Gjoçaj është kthyer në pikën më kritike. Për shkak të përparimit të flakëve dhe rrezikut në rritje, është kërkuar evakuimi i menjëhershëm i barinjve, staneve, bagëtisë dhe bletëve që ndodhen në këtë zonë çdo verë. Zjarri po afrohet me shpejtësi edhe pranë banesave, duke vënë në rrezik jetën dhe pronën e banorëve lokalë.
Terreni i thepisur malor dhe era e fortë po e bëjnë të pamundur shuarjen e flakëve. Avioni italian, që u angazhua në operacion, e ka ndërprerë ndërhyrjen, pasi uji i hedhur nga lartësia e madhe nuk pati efektin e duhur për shkak të relievit të vështirë.
Në terren vijojnë të jenë angazhuar zjarrfikësit e bashkisë Dibër, shërbimi pyjor, administrata vendore dhe forcat e armatosura, por situata mbetet kritike dhe po përkeqësohet nga ora në orë. Autoritetet kërkojnë ndërhyrje urgjente me mjete dhe trupa shtesë, për të frenuar përhapjen e zjarrit që rrezikon jo vetëm pasurinë natyrore, por edhe jetën e banorëve.