Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për motrat Antonela dhe Mariela Berisha, të cilat akuzohet se shpërfytyruan me shishe qelqi Klea Prengën.
Togat e zeza dënuan me 3 vite burg Mariela Berishën, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul me 1/3 dhe u dënua përfundimisht me 2 vite qëndrim pas hekurave.
Ndërsa ndaj ish-konkurrentes së “Për’Puthen” dhe ish-banores së BBV, u caktua 3 vite shërbim prove. Por, dënimi i zbriti në 2 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Motrat Berisha u dënuan për akuzën e plagosjes së rëndë pasi dhunuan blogeren Klea Prenga më 9 Gusht 2024, teksa kjo e fundit ndodhej në një restorant luksos në Tiranë.
VETËDORËZIMI DHE VENDIMI I GJYKATËS
Antonela dhe Marinela Berisha u vetëdorëzuan në polici mbrëmjen 16 Tetorit 2024 pas më shumë se dy muajsh në kërkim.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:
Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.
Në seancën e 18 tetorit 2024, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mariela Berishajn nga “arrest me burg” që ishte, ndërsa la të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berishaj.
Gjatë seancës gjyqësore Marinela Berishaj kërkoi falje dhe mëshirë duke u shprehur se është nënë me një fëmijë 2 vjeç.
“Jam në një bashkëjetesë dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, ka thënë ajo.
Para togave të zeza ajo është shprehur po kalonte një periudhë të vështirë psikologjike.
“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, tha Marinela Berishaj para Gjykatës.
Ndërkohë, ish-banorja e Big Brother Vip, Antonela Berishaj, ka dëshmuar se sipas tyre ato kanë qënë në restorant për të darkuar dhe janë provokuar nga Klea Prenga.
Antonela kërkoi ndjesë publike dhe është shprehur e gatshme për të bërë gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të ndihmuar Klea Prengën të rehabilitohet fizikisht.
“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës”, ka dëshmuar Antonela Berishaj.
Pas vendimit që Gjykata mori për motrat Berishaj, Klea Prenga reagoi në rrjete sociale, duke e cilësuar masën e sigurisë ndaj dy motrave si jo të duhur.
Prenga akuzoi gjyqtaren e çështjes se i ka hedhur poshtë provat e sulmit ndaj saj dhe sipas saj, nuk mund të merret një vendim kaq i lehtë për to.
Reagimi i Klea Prengës
Klea Prenga, përmes një statusi në rrjete sociale ka kërkuar dënim të merituar ndaj motrave, për “pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar”, ndërsa spekulimet për një mundësi pajtimi i ka përjashtuar.
“Përshëndetje, Pas dy muajsh nga sulmi brutal që më është bërë, personat përgjegjës janë vetëdorëzuar. Disa media kanë spekuluar për një mundësi pajtimi mes nesh, por dua të jem shumë e qartë: nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjë pajtim. Unë kërkoj drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar.
Nuk mund të ketë falje për një akt të tillë dhune. Shpresoj që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent, dhe që drejtësia të vihet në vend, duke më dhënë mua dhe familjes sime qetësinë që meriton çdo qytetar”, thuhet në reagim.
Sipas ekspertizës së bërë publike, dëmtimet e shkaktuara ndaj Klea Prengës janë të parikuperueshme, edhe pse kanë kaluar disa kohë që nga sulmi.
Shenja e cila i ka mbetur në fytyre nga thyerja e shisheve përkatësisht në zonën e mollëzës së njërës faqe, është e parikuperueshme dhe kjo i kë ndikuar edhe tek puna e saj si blogere.
MOLLA E SHERRIT
Disa muaj para ngjarjes motra e Antonelës ishte ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Mariela duket se nuk e kishte pranuar këtë ndarje dhe prej disa kohësh vijonte të kontaktonte me vajza, për të cilat dyshonte se partneri e ka tradhtuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Klean, e cila është dhunuar pikërisht se dy motrat dyshonin se ishte shkaku i ndarjes së Marielës nga partneri i saj.
Djali në fjalë është një emër i njohur në qarqet e biznesit në Tiranës, si dhe të shumta i ka pasur historitë e dashurisë edhe me vajzat e famshme. Por prej më shumë sesa një viti dukej sikur kishte krijuar familje dhe ishte larguar nga fama e djaloshit që merrej me vajza të njohura.
Motra e ish-banores së “Big Brother” raportohet se i ka pasur të shumta skenat edhe në ambiente të tjera, duke mos pranuar kështu ndarjen nga partneri. Sakaq, në reagimet e saj, Klea ka qenë shumë e ashpër me të dyja motra.