Policia ka vënë në pranga 4 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, të pestë banues në Nikël, kanë dhunuar dhe kanosur 2 bashkëpronarët e një sipërfaqe toke në Rrugën e Elbasanit, me pretendimin se kjo pronë ishte e njërit prej tyre.
Njëri prej tyre, ai i shpallur në kërkim, pretendon pronësinë mbi sipërfaqen e tokës që kallëzuesit deklarojnë se e kanë blerë në vitin 2021, nga 1 shtetas tjetër.
Njoftimi i policisë:
Dhunuan dhe kanosën 2 bashkëpronarët e një sipërfaqe toke në Rrugën e Elbasanit, me pretendimin se kjo pronë ishte e njërit prej tyre, arrestohen 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të shtetasve L. H. dhe A. C., se 5 shtetas i kishin dhunuar dhe kanosur, pasi njëri prej tyre pretendon pronësinë mbi sipërfaqen e tokës që kallëzuesit deklarojnë se e kanë blerë në vitin 2021, nga 1 shtetas tjetër, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Pretendimi”.
Gjatë operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. A., 28 vjeç, E. B., 31 vjeç, E. T., 42 vjeç dhe A. Sh., 44 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi që pretendon pronësinë mbi sipërfaqen e tokës, E. T., 37 vjeç, të pestë banues në fshatin Nikël, Krujë, shokë me njëri-tjetrin.
Punohet intensivisht për kapjen e 37-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.