Ish-shefi i qarkullimit në Vlorë dhe aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, Ardian Isufi, është pezulluar nga detyra pas përfshirjes në një incident dhune në një lokal në Vlorë, ku ka goditur me grusht një kamarier 18-vjeçar.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një procedurë disiplinore të rëndë ndaj tij, për veprime që dëmtojnë figurën dhe imazhin e punonjësit të policisë, si dhe minojnë besimin e publikut ndaj institucioneve të rendit.
Sipas Policisë së Shtetit, Nënkomisari Ardian Isufi, jashtë detyrës dhe në shoqërinë e shtetasit Leart Bino, 57 vjeç, është përfshirë fillimisht në një konflikt fizik me të riun A.B., 18 vjeç. Më pas, situata u përshkallëzua duke përfshirë edhe pronarin e hotelit ku ndodhi ngjarja, V.B., 53 vjeç, dhe shtetasin E.M.
Policia bën me dije se Ardian Isufi ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa hetimet procedurale vijojnë nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.