Policia e Tiranës ka arrestuar një 49-vjeçar ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen sit ë përfshirë në dhunimin e një 26-vjeçari në zonën e Freskut.
Në pranga u vunë Helidon Marku, ndërsa në kërkim janë shpallur Gjoke Ndrevataj 36 vjeç dhe Xhemal Uka 30 vjeç.
Mësohet se dhuna ndaj të riut, pranë rrethrrotulimit të Freskut është bërë me porosi të Gjoke Ndrevatajt dhe Xhemal Ukës, raporton gazetarja Xhensila Kodra.
Sipas policisë, ata dyshohet se porositën të arrestuarin Helidon Markun për ta rrahur vetëm prej komenteve që ai u ka bërë gjatë kohës që ata bëjnë video “live” në rrjetin social Tik-Tok. I plagosuri i ka sharë me fjalë të rëndë, dhe për këtë arsye kanë vendosur të porosisin rrahjen e tij brutale.
Marku e ka qëlluar me çekiç në kokë disa herë duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme. Marku rezulton i dënuar me 11 vjet e 8 muaj burg në Itali për plagosjen e 4 marokenëve dhe 2 shqiptarëve. Ndërsa në Shqipëri ka kryer 6 vite të dënimit, edhe për armë pa leje dhe shitje droge.
Kjo nuk është hera e parë që Gjoke Ndrevataj, i njohur në Tik-Tok me emrin “Aron” përfshihet në porosi për dhunimin e personave të tjerë. Burime bëjnë me dije se më herët ka porositur rrahjen edhe të personave të tjerë, shqiptarë në Gjermani dhe Itali.


