Protestat në Serbi janë tensionuar ndjeshëm ditën e djeshme, duke kulmuar me skena dhune të ashpër mes policisë dhe qytetarëve në Novi Sad.
Në rrjetet sociale u publikuan pamje ku shihet një pjesëtar i xhandarmërisë duke goditur një vajzë në kokë dhe duke e tërhequr zvarrë për flokësh, ndërsa qytetarët që tentuan ta ndalonin u sulmuan gjithashtu.
Këto ngjarje ndodhën në mes të krizës që ka tronditur opinionin publik, pasi disa persona po vazhdojnë grevën e urisë si formë proteste kundër autoriteteve. Shoferi serb Milomir Jacimoviq është në ditën e tetë të grevës së urisë, ndërsa njëri prej autobusëve të tij, që më herët iu ishte kthyer, u konfiskua sërish nga policia – gjë që shkaktoi reagime të ashpra te qytetarët dhe çoi në përplasje të dhunshme.
Kurse Dijana Hrka, nëna e Stefan Hrkës që humbi jetën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, e ndërpreu grevën e urisë pas 16 ditësh, pas këshillave mjekësore dhe presionit të qytetarëve që i kërkuan të kujdesej për shëndetin e saj.
Në Novi Sad, policia përdori kordone të xhandarmërisë dhe pajisje për shpërndarjen e protestave për të larguar qytetarët që mbronin autobusët e Jacimoviqit. Gazetarë në terren raportuan se edhe ata janë shtyrë nga forcat e rendit gjatë ndërhyrjes.
Ndërkohë, protestat e studentëve po vazhdojnë në disa qytete. Ata denoncojnë sulme kibernetike, mbyllje të llogarive në rrjetet sociale dhe presione të tjera për t’i heshtur. Në Novi Sad, një student u plagos gjatë përplasjes me policinë, ndërsa në mbrëmje u mbajtën protesta të gjera kundër dhunës policore.
Në të njëjtën ditë u përkujtua edhe Anja Radonjiq, studentja dhe sportistja që humbi jetën një vit më parë nga plagët e marra pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor – një tragjedi për të cilën ende nuk ka përgjegjësi të përcaktuar. Bashkë me të humbën jetën edhe 15 serbë të tjerë.
Situata në Serbi mbetet e tensionuar, me protesta që pritet të vazhdojnë dhe thirrje të reja për bllokime të mëdha qytetesh në ditët në vijim.


