Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi ka pësuar “një dëm të madh” pas vendimit të kompanisë “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për t’u tërhequr nga projekti i ndërtimit të një kompleksi luksoz në Beograd.
Projekti, me vlerë të paktën 750 milionë euro, ishte planifikuar në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, dhe parashihte ndërtimin e një kompleksi banimi dhe biznesi nën markën Trump.
Vuçiq fajësoi protestuesit antiqeveritarë, opozitën dhe Prokurorinë për Krim të Organizuar për, siç tha ai, “gjueti shtrigash” ndaj investitorit dhe projektit, duke mohuar çdo akuzë për korrupsion. Ai paralajmëroi kallëzime penale ndaj atyre që, sipas tij, kanë shkaktuar “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.
Tërheqja e kompanisë u njoftua më 15 dhjetor, në të njëjtën ditë kur Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës, Nikolla Selakoviç, për shkelje ligjore lidhur me heqjen e statusit të monumentit kulturor të ndërtesës.
“Affinity Partners” tha se po tërhiqet nga aplikimi “nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe të Beogradit”, duke shtuar se projektet e mëdha duhet të bashkojnë dhe jo të ndajnë shoqërinë.


