NIKOLETA KOVAÇI/ Të dhënat që janë bërë publike ditën e djeshme në lidhje me ngjarjen makabre të ndodhur në Mat, dëshmojnë për pjesëmarrjen e të paktën 4 personave në krimin e rëndë të vrasjes së Renis Dobrës.
Duket se gjithçka ka qenë e mirëmenduar, teksa djalit i kanë dalë përpara 2 persona të veshur me uniforma policie, që e kanë rrëmbyer. Ekspertët e hetimit të krimeve të rënda kanë arritur në përfundimin paraprak se i riu mund të jetë rrëmbyer, mbytur dhe më pas është sjellë në afërsi të liqenit të Shkopetit me mjetin e tij.
Vrasësit janë kujdesur që mjeti të përfundonte bashkë me trupin e djalit në liqen, për pasojë mund të realizonin edhe zhdukjen e gjurmëve të vrasjes. Por me sa duket, mjeti në rënie e sipër e ka nxjerrë trupin e Renisit pak metra para se sa të përfundonte në ujë, e për pasojë është bërë e mundur tashmë jo vetëm gjetja e trupit por edhe konkluzioni që djali është vrarë. Policia ka hasur në imazhin e dy mjeteve tip fuoristradë, të markave të ndryshme që e kanë gjurmuar mjetin e Renisit nga Burreli deri në afërsi të Ulzës. Pastaj janë humbur gjurmët për shkak të mos pasjes së kamerave në rrugë. Por është një dëshmitar që ka treguar se Renisin e ka parë të ndaluar nga policia në rrugë e ndaj ka vijuar rrugën pasi ‘policët’ janë kujdesur duke i thënë që mos të bëhej merak për të.
Është pikërisht kjo dëshmi që ka mbajtur në fokus faktin që djali mund të ishte rrëmbyer dhe më pas vrarë nga ‘policët’ që e kishin ndaluar në rrugë. Policia i ka pikasur të njëjtat mjete edhe në hyrje të Milotit, duke krijuar idenë që makinat që rrëmbyen e vranë 23 vjeçarin kanë ardhur nga jashtë Burrelit.
HETIMET
Policia ka mundur të sekuestrojë disa kamera sigurie që kanë arritur të fiksojnë imazhet e dy automjeteve fuoristradë “RangeRover” dhe “Honday”. Të dyja mjetet dyshohet se janë përdorur nga autorët e krimit, të cilët pasi e kanë marrë, Renis Dobrën, e kanë mbytur me litar. Vdekja nga asfiksia është provuar nga ekspertiza mjeko-ligjore, e kryer nga ekspertë në Tiranë. Kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia dhe prokuroria e Dibrës, kanë arritur të kapin siluetën e dy mjeteve, por jo të fiksojnë qartësisht targat dhe drejtuesit e tyre.
Përmes disa kamerave të sekuestruara, është zbuluar itinerari i dy fuoristradave të përdorura nga autorët, që sipas grupit të hetimit imazhet e tyre janë shfaqur deri në Milot dhe më tej nuk është konstatuar asnjë pamje e tyre. Policia ka kryer disa kontrolle në servise dhe varreza automjetesh që ndodhen në këtë zonë, por deri në këtë fazë këto kontrolle, nuk kanë sjellë rezultat. Nga kamerat, nuk dallohen qartësisht drejtuesit e mjeteve apo personat që kanë qëndruar në vend të parë. Ndërkohë përmes dëshmisë së kushëririt të viktimës, rrëmbimi i 23- vjeçarit Renis Dobra, është kryer rreth 2 kilometra nga dalja e qytetit të Burrelit.
Personat me dy fuoristradë janë paraqitur si punonjës policie, dhe dy prej tyre kanë hipur në makinën e viktimës Renis Dobra, duke krijuar perceptimin tek i afërmi se do e shoqëronin në komisariat. Por i riu është gjendur mëngjesin e ditës tjetër në një humnerë, 10 metra larg ujërave të liqenit të Shkopetit. Sipas ekspertizës, autorët e kanë mbytur diku tjetër Renis Dobran dhe më pas në orët e vona të natës, kanë shtyrë mjetin në një teren të thepisur, ku brenda tij kishin futur trupin e pajetë të 23-vjeçarit./Gazeta Panorama