Një ngjarje e rëndë tronditi dje lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, ku një 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pasi tentoi t’i jepte fund jetës me armë zjarri. Policia njofton se si pasojë e hetimeve të deritanishme është arrestuar babai i vajzës, ndërsa gjyshi është proceduar në gjendje të lirë.
Sipas informacioneve zyrtare, i arrestuari është shtetasi S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës të Vlorës. Ai akuzohet për “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim të vetëvrasjes”, pasi dyshohet se dhuna e ushtruar prej tij ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen psikologjike të së bijës, e cila në kushte të rënda emocionale tentoi të vetëvritej me një armë zjarri që dyshohet të ketë qenë pistoletë.
Ndërkohë, gjyshi i vajzës, shtetasi P. H., 76 vjeç, është vënë nën hetim për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Policia dyshon se arma e përdorur nga 17-vjeçarja për të kryer aktin tragjik ka qenë në pronësi të paligjshme të gjyshit, i cili mund ta ketë mbajtur në banesë pa autorizim.
Forcat hetimore vijojnë punën për të gjetur armën e zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes. Po ashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje tronditëse.
E mitura ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin intensiv të mjekëve. Gjendja e saj shëndetësore mbetet e rëndë.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e procedurave ligjore.