Detaje të reja dalin lidhur me vrasjen e 33-vjeçarit, Ramazan Mataj, i cili u vra mëngjesin djeshëm me breshëri plumbash në një fshat të Shkodrës.
Gjurmët e autorit janë ndjekur përmes një qeni të sofistikuar të policisë, i cili i ka çuar deri në një fare distance në gjurmët e autorit.
Një ditë më parë gazetari Igli Çelmeta tha në studion e News 24 se vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja nuk ishte i mbuluar nga kamera sigurie, duke vështirësuar në këtë mënyrë hetimet e policisë.
Sakaq ai tha se policia ka përjashtuar mundësinë që vrasja e 33-vjeçarit të jetë e lidhur me veprimtari të paligjshme. Ai tha se Mataj nuk ka precedentë penal as në Shqipëri e as jashtë vendit.
Sipas burimeve të gazetarit një nga pistat kryesore që po shqyrtohet nga autoritetet është ajo e një konflikti personal, e lidhur me një marrëdhënie dashurie që mund të ketë pasur 33-vjeçari.
Kujtojmë se Ramzan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet pa shenja jete nga banorë të zonës.
Autorët dyshohet se kanë vëzhguar lëvizjet e të riut gjatë mbrëmjes dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshtatit, e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.
Një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat mbrëmë, por për shkak se pranë vendngjarjes ndodhet një lokal dasmash, ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët, duke e mos e ditur se bëhet fjalë për një vrasje.
Ramazan Mataj rezulton se ka jetuar për një periudhe 1-vjecare në Belgjikë. Pas kthimit të tij në Shqipëri sipas familjarëve ai punonte në zonën e Ulqinit në ndërtim.