Zbardhen detaje të reja për vrasjen tronditëse që ndodhi mbrëmjen e 11 qershorit në fshatin Xibër-Murrizë të Klosit, ku 65-vjeçari Selim Velsula u godit për vdekje me thikë nga kushëriri i tij, Hazbi Velsula, 32 vjeç.
Sipas policisë, të dy personat janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, përpara se i riu ta godiste disa herë me armë të ftohtë. Pas krimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është fshehur në banesën e vëllait në lagjen Allias të Tiranës.
Falë veprimeve të shpejta dhe koordinimit mes DVP Dibër dhe Policisë së Tiranës, 32-vjeçari u kap në mesnatë dhe përfundoi në pranga. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe arma e krimit – një thikë.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa dyshohet se autori kishte pasur më herët probleme të shëndetit mendor. Viktima, sipas të afërmve, kishte një jetë të qetë në fshat dhe nuk kishte shfaqur konflikte me askënd.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u gjet pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë të ftohtë (thikë), shtetasi S.V.
Vihet në pranga autori i vrasjes.
Autori u kap në mesnatë nga shërbimet e DVP Tiranë, në Allias.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen.
Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e ftohtë (thikë), që dyshohet se është përdorur nga autori.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.