Detaje të reja zbardhen lidhur me plagosjen e 15-vjeçarit në Durrës.
Burime për News24 bëjnë me dije se konflikti mes dy adoleshentëve dyshohet se ka nisur fillimisht në rrjetet sociale, duke përfunduar më pas në sherr masiv mes dy grupeve, ku për pasojë u plagos me thikë një 15-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Laguna e Karavastasë” në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku pas zënkës në rrjetet sociale adoleshentët kanë lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u sqaruar.
Dy adoleshentët kanë shkuar në vendin e takimit bashkë me shokë të tjerë dhe pas debateve me tone të ashpra janë përleshur fizikisht mes tyre, si dhe kanë përdorur sende të forta.
Gjatë konfliktit 14-vjeçari me inicialet M.K., qëlloi 4 herë me thikë 15-vjeçarin, duke e plagosur rëndë. Autori i dyshuar u vu në pranga nga Policia e Durrësit, ndërsa bëhet me dije se 15-vjeçari i plagosur ndodhet në Spitalin Rajonal në gjendje të rëndë.
NJOFTIMI I POLICISE
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.


