Dy makina u përfshirë nga flakët mbrëmjen e 7 prillit në lagjen “Karabash” të Vlorës. Gazeta Shqiptare mësoi paraprakisht se njëri nga mjetet në fjalë ishte fugon dhe tjetri ishte tip “Mercedes Benz”.
Burimet e Gazetës shqiptare kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë në vendngjarje ku është zbuluar se kanë qenë dy persona të cilët dështuan që t’i vidhnin dy mjetet në pronësi të 57-vjeçarit dhe më pas i kanë vënë flakën. Zbulohet se një prej makinave nuk ndizej si pasojë e baterisë ndërsa tjetra ishte e pamundur për t’u hapur dhe në pamundësi për t’i vjedhur 2 personat i kanë spërkatur me benzinë dhe i kanë djegur.
Pas tentativës së dështuar me dy mjetet që dogjën, dy personat e kamufluar kanë bërë një tjetër tentativë për të vjedhur një tjetër mjet në rrugën Transballkanike por sërish pa sukses. Ata u pikasën nga pronari dhe u janë larguar me vrap.
Deri më tani 2 personat ende nuk kanë rënë në prangat e policisë por po punohet për të identifikuar fytyrat.
Burime nga prokuroria e Vlorës bëjnë me dije se tentativa e vjedhjes se dy makinave mund të përdorej për ndonjë ngjarje.
Njoftimi i policisë mbrëmjen kur ndodhi ngjarja:
Vlorë/Informacion paraprak
Më datë 07.04.2022, rreth orës 22:05, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, ka marrë flakë automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit V. Ç., i cili ka qenë i parkuar. Në afërsi të mjetit tip “Mercedes”, po digjet dhe automjet tip “furgon”, në pronësi të shtetasit V. K., 57 vjeç.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.



